Kur para dy dekadave jo të plota, filluan hulumtimet për përmirësimin e mbrojtës së udhëtarëve në automjete, askush nuk besonte se aq shpejtë do të zhvillohen ato, kështu që sot, gati se nuk ka automjet, në të cilin, në mënyrë serike, nuk vendosen pajisjet mbrojtëse. Qysh në hulumtimet e para është vërtetuar se, po të ishin të gjitha automjete e pajisura me jastëkët ajror mbrojtës, numri i rasteve të vdekjes në fatkeqësitë e komunikacionit, do të zvogëlohej në mënyrë drastike, - është shënuar në raportin e Institutit amerikan për siguri në rrugë. Hulumtimet kanë treguar se në vitin 1990, numri i rasteve të vdekjes së vozitësve, ka mundur të jetë më i vogël për 19 %, respektivisht po të kishin qenë të instaluar jastëkët ajrorë në vetura, ka pasur mundësi të shpëtohen më shumë se katër mijë jetë. Atë vit, në SHBA, në fatkeqësitë e komunikacionit, e kishin humbur jetën më shumë se 22.000 vozitës dhe 7.500 udhëtarë pranë vozitësit. Atëherë, vetëm katër përqind të automjeteve i kanë pasur të instaluara këto sisteme. Hulumtimet e mëvonshme, kur veç filloi instalimi masovik i jastëkëve ajrorë dhe kur ata u bënë ndër adutët kryesorë në kampanjat e prodhuesve, kanë treguar se këta janë mbrojtje shumë më efikase në automjetet e mëdha se në automjetet e vogla të tipit sportiv të cilat në princip kanë shpejtësi më të madhe dhe pësojnë goditje më të fuqishme në rastet e ndeshjeve ballë për ballë. Kështu, jastëkët ajrorë për 49 përqind i zvogëlojnë pasojat fatale ke vozitësit e automjeteve të mëdha, për 19 përqind ke automjetet e madhësisë mesatare ndërsa për 14 përqind ke automjetet e vogla. Me kalimin e kohës, jastëkët ajrorë aq shumë u përsosën sa që u vendosën edhe në ulësen pranë vozitësit dhe në ato prapa vozitësit. U instaluan në mbështetëset e ulëseve të parme, pastaj vazhdoi instalimi i jastëkëve anësorë, e që në fund, disa nga prodhuesit e mëdhenj, në veturat e veta më luksoze montuan një dyzinë jastëkësh të cilët “fluturonin” prej kulmit dhe i mbulonin xhamat e dyerve. Krahas këtyre “jastëkëve perde”, së voni është patentuar edhe jastëku për mbrojtjen e shputave dhe gjunjëve. Së shpejti pritet të fillojë edhe instalimi serik i tyre. Kështu udhëtarët do të jenë të mbështjellur nga të gjitha anët – dhe më të sigurte. |