Është i vetmi inovacion i cili ka kontribuar në shpëtimin e jetës së njerëzve dhe që është rradhitur në mesin e tetë zbulimeve botërore. Të lidhemi apo jo – është dilemë e miliona njerëzve, e cila paraqitet gjithnjë kur ulemi në veturë. Dilemë që vazhdon që katër dekada, saktësisht që nga ai moment kur i pari rryp sigurues është vendosur në “Volvo P 120” më i njohur si “amazon”. Shumë paragjykime kanë qenë të lidhura me shfrytëzimin e këtyre rrypave, por gjatë dekadave janë thyer. Sot i shfrytëzojnë më shumë se dy të tretat e udhëtarëve në automjete, kamiona, autobusë. Garuesit, automobilistët, nuk i ndezin makinat e tyre të fuqishme deri sa të mos “lidhen”. Njeriu i cili në vitin 1958 i pari e ka patentuar rrypin e sigurisë në tri pika, quhet Nils Bohlin, Suedez, i lindur në vitin 1920. Në moshën njëzetedy vjeçare u punësua në SAAB-a, në sektorin e aviacionit. Për pesëmbëdhjetë vite me rradhë i ka studiuar fatkeqësitë e aeroplanëve, duke kërkuar mënyra për shpëtimin e pilotëve. I ka studiuar parashutistët, rrypat e atëhershëm, i ka katapultuar njerëzit nga aeroplani së bashku me ulësen e pilotit… Dhe pastaj, në vitin 1955, kalon në Volvo, sepse bordi i drejtorëve i atëhershëm, konsideronte se ata, si prodhues të automjeteve, janë të obligueshëm të gjejnë një mënyrë, e cila nëse nuk do të mund ta pengonte vdekjen e njerëzve në komunikacion, atëherë barem do të mundësojnte që lëndimet të jenë sa më të vogla. Në vitin 1958 është patentuar rrypi i parë i cili përforcohet në tri pika. Ky rryp nuk dallon shumë prej atij të sotmit të cilit i janë shtuar “shtrënguesit piroteknik” me qëllim që sa më shpejtë ta mbështesë trupin e vozitësit për ulëse. Përndryshe, rrypi i parë në botë është konstruktuar në vitin 1907, por vetëm pas Luftës së Dytë Botërore ka filluar të përdoret në aeroplanë. Këta kanë qenë rrypa të shtrënguar në dy pika. Shpeshherë i lëndonin njerëzit. Sepse, nuk duhet haruar se kur automjeti e godet pengesën, trupi i vozitësit vazhdon të lëvizë para, ndeshet me vollanin, merr hov kah gjami i përparmë, ose vozitësi e godet kulmin me kokë. Forca e goditjes që krijohet në atë moment është prej 3.000 deri në 5.000 kilogram. Edhe atë do të duhej ta pengonte rrypi. I sotmi këtë e bën. Analizat e 28.000 fatkeqësive të komunikacionit, në kohën kur kishte filluar një propagandë më e madhe për shfrytëzimin e rrypave të sigurisë, kanë treguar se, në më tepër se gjysmën e rasteve, rrypi sigurues e ka luajtur rolin e vet, ia ka shpëtuar jetën njeriut ose ia ka zvogluar lëndimet. Megjithatë, nuk duhet harruar se në atë kohë, rrypat e sigurisë ende nuk kanë qenë të përsosur si tani, se shumica as që kanë ditur t’I përdorin në mënyrë të drejtë. Një mjek francez në disertacionin e doktoraturës së tij, në atë kohë, e ka mbrojtur rrypin sigurues duke dëshmuar se vetëm nëse nuk ëshhtë i vendosur në mënyrë të duhur, mund të dëmtojë. Thënë më drejtë, shumica vetëm e kanë mbërthyer, nuk e kanë shtrënguar mjaftueshëm, duke konsideruar se ai i pengon. Rrypat e sotëm, vetvetiu adaptohen sipas vozitësit dhe udhëtarit, janë mjaft të shtrënguar ndërsa nga ana tjetër, nuk e kufizojnë lëvizshmërinë e trupit. Është e nevojshme vetëm të rregullohet lartësia e tyre, në mënyrë që rrypi diagonal të bie saktësisht në mesin e supeve, të kalojë në mes të krahërorit. |