|
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Presidenti D E K R E T Nr. 295 datë 15.09.1992 “ Për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorikë për përgjegjësinë ndaj personave të treta”, Miratuar me disa ndryshime me ligjin nr. 7641, date 01.12.1992. Azhornuar edhe me “Për disa ndryshime ne dekretin nr 295, date 15.09.1992”, Ndryshuar me dekretin nr 1071, date 20.04.1995 Në mbështetje të nenit 28, pika 19, të Ligjit Nr.7491, date 29.04.1991 “ Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshillit të Ministrave Dekretoj KREU I SIGURIMI I DETYRUESHEM Neni 1 Në kuptimin e këtij dekreti : a) Mbajtësi i mjetit motorik është personi që ka kontrollin aktual të mjetit. Ai mund të jetë pronari, nëdorësi ose shoferi i mjetit motorik. b) Mjet motorik është ai që lëviz në tokë, por jo mbi shina, me anë të fuqisë së tij motorike, pavarësisht nga numri i rrotave. Mjete motorike do të quhen edhe rimorkiot ose gjysëmrimorkiot, pavarësisht nëse janë të bashkuara apo jo me mjetin motorik. c) Siguruesi është shoqëria e sigurimit e autorizuar nga organi kompetent për të ushtruar sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorikë për përgjegjësinë ndaj personave të tretë. ç) Polica ose çertifikata e sigurimit është dokumenti, me anë të të cilit mbajtësi i mjetit motorik provon lidhjen e kontratës së sigurimit të tij për përgjegjësinë ndaj personave të tretë. Neni 2 Mbajtësi i një mjeti motorik detyrohet të lidhë, me një sigurues të autorizuar, një kontratë për sigurimin e përgjegjësisë së tij ndaj personave të tretë për mbulimin e vdekjes, të dëmtimit të shëndetit dhe të dëmeve pasurore, të shkaktuara nga përdorimi i mjetit motorik, duke përjashtuar dëmet në mallrat gjatë transportit. Mbajtësi i mjetit motorik me targë rregjistrimi shqiptare që del nga territori i Republikës së Shqipërisë, duhet të jetë i pajisur me një çertifikate ndrkombëtare të sigurimit (kartoni jeshil) e vlefshme për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta, të lëshuar nga një sigurues vendas i autorizuar.
Neni 3 Sigurimi i detyrueshëm i mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësinë ndaj personave të tretë nuk zbatohet për kategori të veçanta mjetesh motorike të ushtrisë, të cilat përcaktohen me rregullore të përbashkët të Ministrit të Mbrojtjes dhe atij të Financave dhe të Ekonomisë. Neni 4 Mbajtësi i mjetit motorik detyrohet të mbajë gjithmonë me vete policën ose çertifikatën e sigurimit dhe t’ua paraqesë, bashkë me dokumentat e tjera të qarkullimit, organeve të kontrollit të qarkullimit rrugor, sa here që i kërkohet.
Neni 5 Siguruesi e pajis mbajtësin e mjetit motorik, në kohën e lidhjes së kontratës së sigurimit, me modelin “Vërtetimi miqësor i ngjarjes – Njoftimi i rastit të sigurimit”, si dhe me një shenjë dalluese e cila mban emrin e siguruesit, numrin e targës së rregjistrimit të mjetit motorik dhe afatin e vlefshmërisë së kontratës së sigurimit. Siguruesi e pajis mbajtësin e mjetit motorik, në fund të periudhës së treguar në kontratën e sigurimit, me modelin e “ Dëshmisë së rrezikut”. Forma dhe përmbajtja e “Vërtetimi miqësor i ngjarjes – njoftimi i rastit të sigurimit”, i “ Dëshmisë së rrezikut”, i shenjës dalluese, mënyra dhe vendi i vendosjees së kësaj të fundit, përcaktohen nga Ministri i Financave dhe i Ekonomisë. Neni 6 Rregjistrimi i mjeteve motorike mund të bëhet vetëm nëse organit kompetent i paraqitet polica e sigurimit. Neni 7 Personi përgjegjës për shkaktimin e dëmit nuk ka të drejtë të paraqesë kërkesë për shpërblimin e dëmit sipas dispozitave të këtij dekreti. Neni 8 Siguruesi që ushtron veprtimtarinë e sigurimit të detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike, detyrohet të bëjë sigurimin e tyre për përgjegjësinë ndaj personave të tretë sipas dispozitave të këtij dekreti. Neni 9 Kërkesa për lidhjen e kontratës së sigurimit mund të refuzohet nga siguruesi: - kur kërkuesi nuk ka paguar primin e sigurimit ose këstin e tij të parë
- kur kërkuesi e ka lidhur kontratën e sigurimit, por ajo është anulluar nga siguruesi për mashtrim, paraqitjen e fakteve në mënyrë mashtruese në kohën e lidhjes së kontratës ose mospagimin e këstit vijues të primit të sigurimit. Në këto raste, siguruesi nuk mund të refuzojë kërkesën për lidhjen e kontratës së sigurimit pas kalimit të një afati 1-vjeçar nga koha e anullimit të kontratës së mëparshme.
Neni 9/1 Kontrata e sigurimit të detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësinë ndaj personave të tretë, përveç sa parashikohet nga neni 1124 i Kodit Civil, mund të hyjë në fuqi edhe në momentin e lidhjes së kësaj kontrate në rastin kur : - mjeti motorik vihet në qarkullim me targë të përkohshme
- mjeti motorik është i siguruar më një kontratë sigurimi të përkohshme
- mjeti motorik është siguruar me një çertificate ndërkombëtare të sigurimit (karton jeshil)
ç) mjeti motorik me targë regjistrimi të huaj lidh me një sigurues vendas “kontratën e sigurimit kufitar” Kontrata e sigurimit në marrëveshje mes palëve, mund të hyjë në fuqi në një moment më të vonshëm nga ai i lidhjes së saj.
Neni 9/2 Kontrata e sigurimit sipas nenit 2 të këtij ligji zgjidhet në qoftë se pas lidhjes së saj pushon së ekzistuari mjeti motorik i siguruar ose ai nuk mund të përdoret më, por siguruesi ka të drejtën mbi pjesën e primit të paguar ose këstet e primit për tu paguar deri në momentin kur i njoftohet vërtetimi i rasteve të lartpërmendura. Neni 10 Përgjegjësia e siguruesit nuk mund të jetë më e vogël se vleftat e përcaktuara në listen e vleftave minimale të shumës së siguruar, që është pjesë përbërëse e këtij dekreti. Vlefta minimale të shumës së siguruar, të përcaktuara sipas grupeve të mjeteve motorikë për një aksident, për një person dhe për dëme pasurore, mund të ndryshohen me ligj, në qoftë se kjo është e nevojshme për të realizuar mbrojtje të mjaftueshme të personave të dëmtuar dhe nëse vërtetohen ndryshime të kushteve ekonomike. Neni 11 Në rastet kur vlefta e përcaktuar sipas nenit 10 të këtij dekreti është e pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha dëmet e shkaktuara në një aksident, atëherë do tu jepet përparësi rasteve të vdekjes dhe dëmtimeve të shëndetit. Në qoftë se ka më shumë se një person që ka pësuar dëmtime të shëndetit dhe dëmshpërblimi total e kalon vleftën sipas nenit 10 të këtij dekreti, të drejtat e personave të dëmtuar në lidhje me siguruesin do të zvoglohen në mënyrë përpjestimore. Siguruesi që i ka paguar një personi të dëmtuar një vleftë më të madhe se ajo që i takonte, lidhur me dëmshpërblimin e zvogluar në mënyrë përpjestimore, sepse nuk kishte dijeni për personat e tjerë të dëmtuar, mbetet i detyruar ndaj atyre personave të tjerë deri në vleftën sipas nenit 10 të këtij dekreti. Neni 12 Kur një institucion që kryen sigurimin e humbjes së aftësisë për punë dhe pensionin, bën një kërkesë për shpërblimin e demit, siguruesi detyrohet të paguajë, në masën që i siguruari i tij është përgjegjës për dëmin, shpenzimet për trajtimin mjeksor de shpenzime të tjera, në përputhje me rregullat për sigurimin e humbjes së aftësisë për punë dhe pensionit, që do të thotë që siguruesi detyrohet të paguajë vleftën përpjestimore të kontributit për sigurimin e humbjes së aftësisë për punë dhe për pensionin. Vlefta përpjestimore e kontributit për sigurimin e humbjes së aftësisë për punë dhe për pension përcaktohet në vleftë të kapitalizuar, në lidhje me periudhën e mbetur të punës dhe të moshës së një personi fizik, e cila kërkohet për të arritur pensionin e pleqërisë. Neni 13 Personi i dëmttuar ka të drejtë të kërkojë drejtpërdrejt nga siguruesi, brenda kufijve të përgjegjësisë së tij sipas kontratës së sigurimit, shpërblimin e dëmit. Siguruesi nuk ka të drejtë t’i paraqesë kundërshtime personit të dëmtuar lidhur me kërkesën e tij për shpërblimin e dëmit, edhe në raste kur i siguruari nuk i ka plotësuar detyrimet e tij sipas kontratës së sigurimit. Neni 14 Siguruesi që ka paguar shpërblimin e dëmit, ka të gjitha të drejtat e personit të dëmtuar kundër personit përgjegjës për dëmin, në vleftën e dëmshpërblimit të paguar, shpenzimeve të kryera dhe interesit, në ato raste kur sipas kontratës së sigurimit nuk rezulton asnjë përgjegjësi për të. Neni 15 Në qoftë se mjeti motorik, gjatë kohës që kontrata e sigurimit është në fuqi, kalon në pronësinë e një personi tjetër, të drejtat dhe detyrimet që lindin nga kontrata e sigurimit kalojnë tek pronari i ri deri në përfundimin e periudhës së sigurimit në vazhdim. Neni 16 Kushtet e kontratës së sigurimit dhe menyra e llogaritjes së primit të sigurimit i paraqiten për miratim Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë për një periudhë kohore zbatimi jo më të shkurtër se një vit nga dita e miratimit të tyre, i cili publikon dhe rregullat lidhur me zbatimin e sigurimit të detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorikë. Për rreziqet e sigurimit, që për shkak të natyrës së tyre nuk mund të përfshihen në zërat e mënyrës së llogaritjeve të primit të sigurimit, siguruesi mund të përcaktojë vetë primin e sigurimit. Kontrata e lidhur në këtë mënyrë duhet ti paraqitet Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, i cili jep pëlqimin ose urdhëron ndryshimin e kontratës së sigurimit, të cilat e shtrijnë efektin e tyre që nga dita e hyrjes së saj në fuqi. Neni 16/1 Siguruesit që ushtrojnë veprimtarinë e sigurimit të detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësinë ndaj personave të tretë, janë të detyruar të hartojnë dhe ti paraqesin Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, së bashku me bilancin e përgjithshëm të ushtrimorit, një rendikont të posaçëm lidhur me ushtrimin e kësaj veprimtarie sigurimi, si pjesë përbërëse e këtij bilanci. Nga rendikonti duhet të rezultojnë të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet për këtë lloj sigurimi, gjendja pasurore, si dhe pasqyra analitike e fondeve të caktuara për mbulimin e rezervave teknike. KREU II FONDI I KOMPENSIMIT Neni 17 Personi të cilit i është shkaktuar një dëm nga përdorimi i një mjeti motorik, ka të drejtën të kërkojë shpërblimin e demit nga Fondi i Kompensimit, deri në vleftat minimale të shumës së siguruar, në qoftë se : - mjei motorik, me të cilin u shkaktua dëmi, nuk mund të identifikohet
- mbajtësi i mjetit motorik, me të cilin u shkaktua dëmi, nuk është i siguruar sipas dispozitave të këtij dekreti
- mjeti motorik, i identifikuar ose jo, ishte i vjedhur ose i grabitur nga personi përgjegjës për shkaktimin e dëmit
ç) shpërblimi i dëmit nuk mund të paguhet nga siguruesi për shkak të falimentimit të tij Neni 18 Nga Fondi i Kompensimit paguhen : - në rastin e përmendur në nenin 17, shkronja a)- vdekja, dëmtimi i shëndetit si dhe dëmet pasurore, që e kalojnë vleftën 25.000 lekë, duke përjashtuar dëmin e shkaktuar mjetit motorik
- në rastet e përmendura në nenin 17, shkronja b), c) dhe ç)- vdekja, dëmtimi i shëndetit dhe dëmet pasurore, duke përfshirë edhe dëmin e shkaktuar mjetit motorik.
Neni 19 Personit të dëmtuar i paguhet dëmshpërblimi nga Fondi i Kompensimit deri në masën të cilën ai nuk ka mundësi ta përfitojë nga Sigurimet Shoqërore ose nga ndonjë sigurues tjetër, me të cilin mund të ketë lidhur kontratë sigurimi për të përfituar dëmshpërblimin. Neni 20 Neni 17 i këtij dekreti zbatohet edhe për një person të huaj, të cilit i është shkaktuar një dëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, përveç rasteve kur ligji i vendit, shtetësinë e të cilit mban personi i huaj, nuk lejon që shtetasit shqiptarë të dëmshpërblehen në rastet analoge. Neni 21 Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, me akt të veçantë nënligjor, përcakton mënyrën e financimit të Fondit të Kompensimit. KREU III BYROJA SHQIPTARE E SIGURIMIT Neni 22 Byroja Shqiptare e Sigurimit themelohet nga siguruesit që ushtrojnë sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorikë për përgjegjësinë ndaj personave të tretë. Neni 23 Byroja Shqiptare e Sigurimit kryen funksionet e përcaktuara nga marrëveshjet ndërkombëtare mbi sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorikë për përgjegjësinë ndaj personave të tretë. Byroja Shqiptare e Sigurimit përfaqëson siguruesit shqiptarë në marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare të sigurimit. Neni 24 Byroja Shqiptare e Sigurimit kryen administrimin e Fondit të Kompensimit. Bilanci i administrimit të Fondit të Kompensimit, së bashku me relacionin përkatës, duhet ti paraqitet Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë brenda 31 Majit të vitit pasardhës. Neni 24/1 Byroja Shqiptare e Sigurimit i propozon për miratim Ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, siguruesit që duhet të emërohen për të kryer trajtimin dhe pagesat e dëmeve të shkaktuara në rastet e parashikuara nga neni 17 i këtij dekreti, duke mbajtur parasysh aftësinë financiare, si dhe cilësinë e organizimit të tyre lidhur me likuidimin e dëmeve. Siguruesit e përmendur në paragrafin e mësipërm, duhet të administrojnë në mënyrë të pavarur të gjitha operacionet që lidhen me likuidimin e dëmeve të ardhura në rastet e parashikuara nga neni 17 i këtij dekreti. Neni 24/2 Byroja Shqiptare e Sigurimit për trajtimin e dëmeve të shkaktuara nga një mjet motorik i mbuluar në sigurim nga Çertifikata Ndërkombëtare e sigurimit (kartoni jeshil), mund të ngarkojë një sigurues që është anëtar i tij. Neni 25 Byroja Shqiptare e Sigurimit kryen edhe veprimtari me interes të përgjithshëm mbi statistikën, informacionin dhe kualifikimin, lidhur me sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorikë për përgjegjësinë ndaj personave të tretë. Neni 26 Byroja Shqiptare e Sigurimit është person juridik. Organizimi dhe veprimtaria e Byrosë Shqiptare të Sigurimit bëhet mbi bazën e këtij dekreti dhe statutit të tij. Miratimi i statutit të Byrosë Shqiptare të Sigurimit bëhet nga Ministri i Financave dhe i Ekonomisë. KREU IV SIGURIMI I DETYRUESHEM PER MBAJTESIT E MJETEVE MOTORIKE ME TARGE RREGJISTRIMI TE HUAJ Neni 27 Çdo person që hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë me një mjet motorik me targë rregjistrimi të huaj, është i detyruar të ketë një certificate të vlefshme të sigurimit për përgjegjësinë ndaj personave të tretë (kartoni jeshil), e cila është e pranueshme në Republikën e Shqipërisë. Neni 28 Kur një mjet motorik me targë rregjistrimi të huaj hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë, autoritetet doganore të kufirit kontrollojnë nëse mjeti motorik plotëson kërkesat e përcaktuara në nenin 27 të këtij dekreti. Neni 29 Me çertifikatë të vlefshme sigurimi (karton jeshil), siç përmendet në nenin 27 të këtij dekreti, do të kuptohet dokumenti, vlefshmëria e të cilit njihet nga Byroja Shqiptare e Sigurimit. Pranimi i vlefshmërisë së këtij dokumenti do të bëhet nga Byroja Shqiptare e Sigurimit, duke informuar për këtë edhe organet qendrore të doganës dhe të kontrollit të qarkullimit rrugor. Pranimi i vlefshmërisë së çertifikatave të sigurimit nga Byroja Shqiptare e Sigurimit jep garanci për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga përdorimi i mjeteve motorike me targë rregjistrimi të huaj. Neni 30 Personat që nuk kanë dokumentat e treguara në nenin 27 të këtij dekreti, duhet që në kufi të lidhin kontratë sigurimi për përgjegjësinë ndaj personave të tretë me një sigurues vendas, i cili autorizohet për ushtrimin e kësaj veprimtarie nga Byroja Shqiptare e Sigurimit. Neni 31 Personi, të cilit i shkaktohet një dëm nga një mjet motorik me targë rregjistrimi të huaj dhe që është i pajisur me dokumentin e treguar në nenin 27 të këtij dekreti, ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit nga Byroja Shqiptare e Sigurimit. Neni 32 Për dëmet e shkaktuara nga mjetet motorike me targë rregjistrimi të huaj, të cilat janë siguruar nga një sigurues vendas, dëmshpërblimi bëhet nga siguruesi vendas sipas dispozitave të këtij dekreti, që janë të vlefshme për mjetet motorike më targë rregjistrimi shqiptare. Neni 33 Personit të dëmtuar nga përdorimi i një mjeti motorik me targë rregjistrimi të huaj, mbajtësi i të cilit nuk është i siguruar, i shpërblehen dëmet e shkaktuara, sipas dispozitave të këtij dekreti mbi Fondin e Kompensimit. KREU V KUNDRAVAJTJET ADMINISTRATIVE Neni 34 Përdorimi ose lejimi i përdorimit të një mjeti motorik nga mbajtësi i tij, pa lidhur kontratë sigurimi për përgjegjësinë ndaj personave të tretë, përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 10.000 deri në 35.000 lekë. Neni 35 Në rastet kur organet e kontrollit të qarkullimit rrugor konstatojnë mungesën e Policës ose Çertifikatës së Sigurimit, bëjnë bllokimin e menjëhershëm të mjetit motorik dhe mbajnë Proçes-Verbalin përkatës, të cilin ja paraqesin organit kompetent të shqyrtimit të kundravajtjeve administrative. Kur një mjet motorik shqiptar del jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, polica kufitare duhet të kontrollojë nëse mjeti motorik është i pajisur me një çertefikatë ndërkombëtare sigurimi (kartoni jeshil). Në rast të kundërt, të ndalohet kategorikisht dalja e mjetit motorik nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Neni 36 Shqyrtimi i kundravajtjeve administrative të përcaktuara në nenin 34 të këtij dekreti bëhet nga organet e kontrollit të qarkullimit rrugor. Shqyrtimi i kundravajtjeve administrative, marrja e vendimeve, ankimi dhe ekzekutimi i tyre bëhen sipas dispozitave përkatëse të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Neni 37 Mbajtësi i mjetit mtorik kryen kundravajtje administrative që gjobiten në vend, në qoftë se : - nuk mban me vete dhe nuk paraqet Policën ose Çertifikatën e Sigurimit, kur kjo i kërkohet nga organet e kontrollit të qarkullimit rrugor.
- Nuk mban shenjën dalluese në mjetin motorik.
Kundravajtjet administrative të mësipërme dënohen secila me 200 lekë gjobë në vend nga organet e kontrollit të qarkullimit rrugor. Neni 38 Ministri i Rendit Publik dhe Ministri i Financave dhe i Ekonomisë përcaktojnë rregullat për kriteret e vendosjes së gjobave, sipas llojit të mjeteve motorike, për kundravajtjet administrative të përcaktuara në nenin 34 të këtij dekreti. KREU VI DISPOZITA KALIMTARE DHE TE FUNDIT Neni 39 Deri në themelimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit, sipas dispozitave të këtij dekreti, funksionet e saj kryhen nga Instituti i Sigurimeve. Neni 40 Instituti I Sigurimeve do të kryejë funksionet e Byrosë Shqiptare të Sigurimit sipas nenit 39 të këtij dekreti, që nga dita e miratimit të këtij dekreti Neni 41 Në dekretin Nr. 164, date 03.04.1992 “Për sigurimin e detyrueshëm të udhëtarëve”, në nenin 1, në paragrafin e parë hiqet fjala “automjete” dhe paragrafi i fundit shfuqizohet. Neni 42 Ky dekret hyn në fuqi me date 01.01.1993. Presidenti i Republikës SALI BERISHA LISTA e VLEFTAVE MINIMALE të SHUMËS së SIGURUAR 1. Vleftat minimale të shumës së siguruar për : - motoçikletat dhe biçikletat me motor - autoveturat me kapacitet deri 9 vende (pa vendin e shoferit) -kamionët, rimorkiot dhe gjysëmrimorkiot për transportin e mallrave dhe të udhëtarëve, si dhe për - mjetet motorike të punës janë si më poshtë : a) për një aksident në të cilin dëmtohen disa persona…………….50.000.000 lekë b) për një person……………………………………………..........20.000.000 lekë c) për dëme pasurore……………………………………………….5.000.000 lekë 2. Vleftat minimale të shumës së siguruar për : - autobuset - mjete motorikë që përdoren për gara sportive janë si më poshtë : a) për një aksident në të cilin dëmtohen disa persona…….……..150.000.000 lekë b) për një person……………………………………...…………...20.000.000 lekë c) për dëme pasurore……………………………………………...10.000.000 lekë
|